fbpx
close-btn
Shkarko Swinto

March 8,2022

Pabarazia gjinore në FinTech

Nga Vesa Bunjaku

 

Ka një kohë që sektori i financave dhe ai i teknologjisë dominohen kryesisht nga burrat. Përderisa FinTech i bashkon këto dy industri, nuk është befasi të shihet ende një mungesë e përfshirjes dhe përfaqësimit të grave në këtë sektor. Megjithëse janë ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim, ka ende shumë për të bërë.

Çështja lidhur me pabarazinë gjinore në FinTech fillon përbrenda industrisë, me një përqindje tepër të vogël të grave që drejtojnë dhe punojnë në këto kompani.

Sipas një studimi të vitit të kaluar, punuar nga gratë në FinTech, më pak se 30% e fuqisë punëtore në Fintech janë gra dhe vetëm 17% e roleve të larta në ato kompani përfaqësohen nga gratë. Shumë kompani deklaruan se këto shifra të ulëta përfaqësimi janë pasojë e numrit të vogël të grave që aplikojnë në pozita fillestare. Kjo të drejton tek pyetja se cili është shkaku primar i kësaj gjendjeje dhe çfarë duhet ndërmarrë brenda kësaj industrie për të ndryshuar një gjë të tillë? 

Një pabarazi edhe më të theksuar e shohim tek themeluesit e kompanive FinTech ku vetëm 5% e themeluesve janë gra. Sipas një studimi nga Harvard Business Review, ky problem është i lidhur ngushtë me financimin dhe faktin që bizneset e udhëhequra nga gratë kanë më pak gjasa të marrin fonde për projektet e tyre. Kjo është e theksuar edhe brenda vetë kompanive, ku gratë kanë dhënë kontributin e tyre dhe ide të ndryshme rreth biznesit, porse ato nuk kanë marrë vëmendjen e duhur, krahasuar me idetë e gjinisë tjetër, të cilat janë marrë për bazë më shumë.

Luftimi i këtyre pengesave kërkon një çasje të shumëanshme: një gjuhë më gjithëpërfshirëse të kompanisë, më shumë fonde për gratë, dhe më e rëndësishmja, edukim më cilësor. Kjo përfshin inkurajimin dhe mbështetjen e grave, si dhe ofrimin e burimeve financiare për gratë dhe vajzat që të marrin pjesë në STEM, dhe si rrjedhojë, të eksplorojnë fushën e Fintech. Po ashtu, zhvillimi i programeve nxitëse që edukojnë burrat për këtë çështje dhe për rolin që ata mund të luajnë në inkurajimin e përfaqësimit të grave, luan një rol esencial në eliminimin e barrierave dhe paragjykimeve ndaj grave në këtë industri.

Fatkeqësisht, çështja e pabarizisë gjinore është e pranishme edhe në bazën e klientelës dhe përvojës së klientëve në shfrytëzimin e produkteve. Kjo sepse në secilën bazë klientësh, burrat dominojnë, gjë që krijon probleme të gjithpërfshirjes gjinore në financa. Për më tepër, sipas specialistëve të njohurive për sjelljen konsumatore, institucionet financiare nuk konsiderojnë çasje të ndryshme për menaxhimin financiar ndërmjet gjinive dhe duke e bërë këtë, ata nuk arrijnë të shfrytëzojnë mundësinë për të ofruar shërbime më të mira dhe më të përshtatura për gratë. Më këtë, mund të konkludohet se përfshirja e grave në pozicione vendimmarrëse të kompanive FinTech mund të ketë një ndikim jashtëzakonisht të madh, edhe në atë se si konsiderohet përvoja e klientëve (UX) gjatë disenjimit të shërbimeve.

Ne në Swinto besojmë në arritjen e barazisë gjinore dhe në promovimin e një gjuhe që është gjithëpërfshirëse për gjinitë, qoftë kjo e lidhur me strukturat brenda kompanisë, qoftë me bazën e përdoruesve apo klientelës. Ne përkrahim edukimin e masave, veçanërisht të të rinjve në fushën e STEM dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për një të ardhme më të barabartë.